KOSOVA DREJT ZGJEDHJEVE TË REJA, EKSPERTËT: NUK ËSHTË MË VETËM KRIZË POLITIKE, POR EDHE EKONOMIKE

Të dielën ka hyrë në fuqi masa e përkohshme për ndalimin e çdo veprimi a vendimi të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për seancën konstituive, kjo për shkak që ata dështuan të kryejnë këtë obligim brenda afatit 30-ditor.

Masa do të zgjasë deri më tetë gusht e deri në atë kohë, të zgjedhurit për legjislaturën e nëntë nuk do të mund të mblidhen në parlament.

Njohësit presin që më tetë gusht, Gjykata Kushtetuese që e ka caktuar masën, të qartësojë edhe se si do të veprohet tutje.

Instituti i Kosovës për Demokraci paralajmëron se vendi po përballet me një krizë të thellë politike dhe kushtetuese, e cila po sjell pasoja serioze ekonomike e sociale.

Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci thekson se nëse Gjykata Kushtetuese nuk arrin të nxjerrë vendimin në kohë, ekziston mundësia që të vendosë edhe një masë të përkohshme për një periudhë të mëtejshme, derisa vendimi të bëhet i plotë.

“Nëse dështimi kalon afatin 30-ditor, gjykata duhet të sqarojë nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje, qoftë me dekret të presidentes, apo përmes një aktgjykimi që do të krijonte precedent,” tha Cakolli.

Ekspertët vlerësojnë se gjasat janë shumë të mëdha që zgjedhjet në Kosovë të mbahen pas datës 8 gusht.

Gjykata Kushtetuese pritet gjithashtu të sqarohet për ndërrimin e mënyrës së votimit në mes të procesit dhe pasojat juridike që do të kenë deputetët që nuk arritën të konstituojnë Kuvendin brenda afatit ligjor. Kjo situatë pasqyron një krizë më të thellë se sa ajo politike, me ndikime të drejtpërdrejta në ekonomi dhe shoqëri.

Deputetët e Kosovës kanë dështuar që nga 15 prilli deri më 26 korrik të konstituojnë Kuvendin, duke e thelluar kështu krizën në vend.

SHARE