KFOR SHUAN EDHE ZJARRET NË KOSOVË

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, në bashkëpunim me trupat amerikane të aviacionit të vendosur në Komandën Rajonale-Lindje, ka vijuar ndërhyrjen për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë pjesë të ndryshme të vendit.

Sipas KFOR, dy helikopterë ushtarakë të tipit UH-60 Black Hawk kanë realizuar një seri operacionesh ajrore për hedhjen e ujit në zonat e prekura, me qëllim mbajtjen nën kontroll të flakëve që rrezikonin jetën e banorëve dhe infrastrukturën lokale.

“Gjatë dy orëve të operimit, ekipet ajrore realizuan gjithsej 18 hedhje, duke transportuar mbi 43.500 litra ujë në rajonet e përfshira nga zjarret”, thuhet në një postim të KFOR në Facebook. Më tej në njoftim theksohet kjo ndërhyrje dëshmon angazhimin e misionit të NATO-s për mbrojtjen e civilëve në kohë krizash.

Sakaq, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) në Kosovë ka konfirmuar përkeqësimin e situatës në vend.

Vetëm gjatë orëve të para të së hënës, janë regjistruar gjithsej 80 vatra zjarri në mbarë vendin – prej të cilave 35 mbeten ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar.

Zonat më të goditura janë fshatrat Siqevë dhe Resnikë në Komunën e Klinës, ku situata paraqitet e rënduar.

SHARE