SITUATË E RËNDË NË KINË, TAJFUNI “DOKSURI” MERR ME VETE ÇDO GJË

Tajfuni “Doksuri” ka goditur pjesën lindore të Kinës, duke sjellë erëra të forta dhe reshje të dendura shiu në zonat bregdetare, të cilat kanë marrë me vete çdo gjë të mundshme.

Stuhia e cila ka ardhur nga Filipinet, mbërriti në brigjet lindore gjatë orëve të para të mëngjesit. Shpejtësia e erës arriti 175 kilometra në orë.

Banorët janë të frikësuar për shkak të rrezikut, që vjen nga stuhia e fuqishme që ka dëmtuar banesa dhe rrugët.

Situatë e cila bëri që autoritetet të shpallin alarmin e kuq dhe të vendosin masa të rrepta sigurie.

Në rrjete sociale janë shpërndarë me shpejtësi pamje të dëmeve dhe banorëve të cilët nuk arrijnë të mbyllin dritaret nga era e fortë. Rrugët tashëm janë nën pushtetin e ujit, pemët janë rrëzuar dhe dëmet mbeten të shumta.

Dallgët në det ishin shumë të mëdha, ndërsa ekipet e emergjencës vendosën shirita për të mos lejuar afrimin e njerëzve.

Tajfuni i fuqishëm “Doksuri” pritet të vazhdojë të lëvizë në veriperëndim drejt Kinës qendrore ndërsa intensiteti i tij gradualisht dobësohet.

Qeveritë lokale dhe autoritetet e transportit u këshilluan të marrin masa paraprake pasi sistemet e kullimit dhe rrugët pritet të ndikohen edhe më shumë nga shirat e dendur.

“Doksuri” goditi pjesën veriore Filipineve më 26 korrik, duke rrëzuar pemë dhe shtylla të energjisë dhe duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike, si dhe rrëshqitje të dheut e përmbytje.

Numri i të vdekurve në Filipine është rritur në 13, ndërsa 21 të tjerë që janë ende të zhdukur.

SHARE