MARRËVESHA THEMELORE MUND TË NËNSHKRUHET NË GUSHT

Marrëveshja themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KOS) mund të nënshkruhet në gusht, pasi të gjithë të paraqesin edhe një herë mendimin e tyre për atë dokument, tha kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq. Duke komentuar deklaratën e Mitropolitit Joanikije se ndryshimet në kontratën me Kishën Ortodokse Serbe nuk janë të pranueshme, Abazoviq tha se Qeveria e Malit të Zi vendosi për një qasje gjithëpërfshirëse në procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore. “Unë shtroj pyetjen se cila OJQ dhe cili ekspert juridik është përfshirë apo e ka ditur se është duke u nënshkruar një kontratë me Kishën Katolike apo Bashkësinë Islame”, pyeti kryeministri dhe shtoi se pavarësisht kësaj, të gjitha sugjerimet janë të mirëseardhura. Komisioni që do të merret me atë akt, siç thotë ai, nuk funksionoi për shkak se tre anëtarët e propozuar nga Presidenti i Malit të Zi refuzuan të marrin pjesë në punë. I pyetur se kur do të nënshkruhet Marrëveshja Themelore, ai thotë: “Mendoj se pasi të mbyllet ai proces procesi që të gjithë të japin edhe një herë mendimin e tyre, nëse duan mund të presim që të jetë në fillim të gushtit ose ndoshta në mes apo në fund të gushtit. Ne nuk jemi marrë vesh për ato detaje, por është një proces që e kemi çuar në fund”, tha Abazoviq.

SHARE