NË SHQIPËRI, KOSOVË DHE MAQEDONI TË VERIUT FALET NAMAZI I KURBAN BAJRAMIT

Në praninë e një numri të madh të besimtarëve, mëngjesin e sotëm në të gjitha qendrat kryesore të vendeve të rajonit, si dhe në qytete të tjera, me faljen e namazit të Kurban Bajramit ka filluar një nga festat më të mëdha të muslimanëve. Programi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri është mbajtur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë. Po ashtu edhe në Kosovë xhamitë janë mbushur me qytetarët, të cilët u mblodhën për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Programi qendror në Kosovë është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ndërsa hutben e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme për muslimanët. “Në këtë ditë feste të Kurban Bajramit, besimtarët anë e mbanë botës presin kurban. Qëllimi i prerjes së kurbanit është afrimi edhe më i madh tek Zoti xh.sh. Duke rikujtuar dhe përmendur në vazhdimësi emrin e Allahut, Zoti xh.sh thotë: Ne vërtetë të dhamë ty shumë të mira, andaj falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd”, tha Tërnava. Në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup u mbajt manifestimi qendror në Maqedoninë e Veriut me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku besimtarët muslimanë mbushëm hapësirat e brendshme dhe oborrin e xhamisë. Fjalimin e hutbes së Bajramit e mbajti kreu i BFI-së, Shaqir Fetahi, i cili theksoi rëndësinë e kryerjes së Haxhit, prerjes së kurbanit, sakrificës dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Fetahi në fjalimin e hutbes foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së vlerave tradicionale familjare, si dhe për çështje tjera, siç është migrimi i të rinjve. 

SHARE