BARAZIA GJINORE TË JETË PRIORITET NË TË GJITHA PROJEKTET

Mbështetja e Britanisë së Madhe në procesin e integrimeve evropiane është konfirmim i marrëdhënieve cilësore mes dy vendeve, tha ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave, Fatmir Gjeka, pas takimit me ambasadoren britanike Karen Maddox. Gjeka priti në një vizitë zyrtare ambasadoren Maddox, me të cilën diskutoi për prioritetet e departamentit, si dhe për aktivitetet që planifikon të realizojë në periudhën e ardhshme, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në promovimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Ai tha se me ndarjen e Ministrisë së Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe me formimin e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, është bërë një hap përpara, para së gjithash u forcua edhe funksioni i këtij dikasteri, i cili në mbledhjet e mëparshme të Qeverisë ishte i pavarur. Maddox shprehu gatishmërinë e Ambasadës Britanike për të bashkëpunuar me Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, dhe të ndihmojë në zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve që synojnë përmirësimin e barazisë gjinore, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave, veçanërisht personave LGBTI, të cilët duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta. “Barazia gjinore është e rëndësishme për ambasadën tonë dhe për mua personalisht dhe duhet ta përfshijmë në çdo projekt si prioritet, qoftë për ekonominë, politikën apo mbrojtjen”, tha Maddox. Në fund, bashkëbiseduesit u pajtuan që fusha e të drejtave të njeriut është komplekse, por edhe ndër më të rëndësishmet dhe Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, me ndihmën e departamenteve tjera kompetente, duhet të koordinojë aktivitetet kur bëhet fjalë për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave. 

SHARE