Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë të martën se kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell është duke e finalizuar raportin rreth hapave që ka marrë Kosova për heqjen e masave ndëshkuese të bllokut evropian, dhe se aty do të përfshihen edhe operacionet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës.
Më 20 maj, autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që ka rezultuar me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar si masë për vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, janë konfiskuar prova të ndryshme, përfshirë para.
Vendet anëtare të BE-së, kanë kërkuar javë më parë që Borell të përpilojë sa më shpejt një raport, për të kuptuar se çfarë ka bërë Kosova drejt përmbushjes së kushteve për t’ia hequr masat e vendosura.
Shumica e vendeve anëtare kanë propozuar që masat të hiqen tërësisht, ndërsa disa shtete që të hiqen gradualisht.
Por, para se të marrin vendim, ato kanë kërkuar edhe vlerësimin e Borrellit.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burimet diplomatike se për shkak të zhvillimeve rreth mbylljes së objekteve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, është kërkuar që këto veprime të merren parasysh në raportin e Borrellit.
Njëjtë ka thënë edhe Stano më 28 maj.
“Masat ishin vendosur si pasojë e veprimeve të pakoordinuara dhe të njëanshme të Kosovës, që sollën deri te përshkallëzimi i situatës. Masat ishin vendosur me qëllim që të motivohen autoritetet e Kosovës për të ndërmarrë hapa për shtensionim. Natyrisht, gjithçka që ka ndikim negativ në terren, dhe në përpjekjet për shtensionim, është duke u marrë parasysh dhe është duke u përfshirë në raport“, ka thënë ai.
Edhe Shtetet e Bashkuara, edhe Bashkimi Evropian, kanë thënë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës kanë qenë të “njëanshme dhe të pakoordinuara”.