Foto: Facebook/LindonV.Gjelaj/
Kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ka reaguar në lidhje me deklaratën e Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), në të cilën thuhet se Gjelaj tregoi se nuk është kryetar i të gjithë qytetarëve.
Gjelaj në reagimin e tij më tej shtoi:
“Për shkak të deklaratës së fundit nga Bordi Komunal i PDS-së në Tuz, ndiej nevojën që t’u përgjigjem qartë, hapur dhe me përgjegjësi akuzave dhe manipulimeve të pabaza që ata u përpoqën përsëri t’i shpërndanin në opinion. Me deklaratën tuaj, ju konfirmuat për të disatën herë se jeni organizatorët e protestës së djeshme, e cila, siç pati mundësi i gjithë opinioni ta shoh, përjetoi një dështim të plotë”, theksoi Gjelaj.
Ai tha se protesta, e cila mblodhi një numër të papërfillshëm qytetarësh, tregoi se politika e PDS-së nuk ka më vend në Tuz.
“Mohimi juaj i hapur i simboleve kombëtare të Malit të Zi dhe identitetit të Malësisë, për të cilin qytetarët tanë janë krenarë, vetëm sa konfirmon më tej se sa shumë jeni larguar nga interesat e vërteta të qytetarëve. Është e qartë se pse përjetuat dështim, qytetarët e kuptuan se kush fshihet pas përçarjes dhe manipulimit. Ata që, ndoshta nga padija ose informacioni i gabuar, morën pjesë në atë protestë, tani duhet seriozisht të reflektojnë,” tha ai.
Kryetari i komunës së Tuzit theksoi se dëshiron ta bëjë të qartë se është kryetar i të gjithë qytetarëve të komunës së Tuzit, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, fetare apo politike.
“Këtë e konfirmoj me punën time të përditshme, e cila është e drejtuar drejt përparimit, unitetit dhe zhvillimit të komunitetit tonë, dhe jo me përhapje të urrejtjes dhe përçarjes. Qytetarët e Malësisë e mbajnë mend shumë mirë politikën tuaj destruktive dhe e dinë se sot keni vetëm katër këshilltarë në Kuvendin e komunës së Tuzit, nga 33 këshilltarë. Me këtë qasje, është absolutisht e sigurt se qytetarët do t’ju dërgojnë nën census në zgjedhjet e ardhshme”, pohon Gjelaj.
Sipas kryetarit Gjelaj, politika e PDS-së është ekskluzivisht një politikë interesash personale, konfliktesh dhe manipulimesh, të cilën qytetarët nuk duan më ta ndjekin.
“Malësia ka nevojë për liderë që do të punojnë për zhvillimin e saj dhe jo për ata që dëshirojnë ta çojnë në të kaluaren. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tuzit që të mos bien pre e provokimeve dhe të vazhdojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne së bashku, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe interesit të përbashkët”, thuhet në reagimin e kryetarit Gjelaj.