Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë.
Stano nuk deshi të komentojë kritikat e bëra nga krerët shtetërorë serbë për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 23 prill në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Ai po ashtu nuk komentoi as ankesat e paraqitura nga Beogradi lidhur me nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ne kemi diskutuar për këtë çështje gjerësisht para dy ditësh. Mund të përsëris se ne nuk i komentojmë deklaratat e palëve, por presim që ata të përqendrohen në zbatimin e obligimeve që kanë para tyre. Presim që të martën të kemi vazhdimin e dialogut, që është platforma e vetme për diskutim”, tha Stano.
Si Kurti, ashtu edhe Vuçiq, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e 2 majit.
“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, tha Stano.
I pyetur se si do të shkojë përpara procesi nëse nuk do të ketë përparim për themelimin e Asociacionit gjatë takimit të 2 majit, Stano përsëriti se BE-ja pret që palët të zbatojnë obligimet që kanë marrë.