Sot në Cetijë deputetët e Parlamentit të Malit të Zi votuan për formimin e Qeverisë së 43-të të Malit të Zi. Mbas shumë diskutimeve për Qeverinë e re votuan gjithsejit 48 deputetë, 45 pro ndërsa 3 ishin kundër. Mandatari për përbërjen e qeverisë së re, Dritan Abazoviq, para deputetëve dhe kandidatëve për ministra ka shpalosur ekpozenë me programin e punës së qeverisë së ardhshme. Abazoviq theksoi se qeveria e re do të bazohet në dy shtylla kryesore – sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, të cilat kanë pesë linja prioritare të veprimit, përkatësisht: lufta kundër korrupsionit, investime më të qëndrueshme, integrimi në Bashkimin Evropian, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit dhe afirmimi e fëmijëve dhe të rinjve. Abazoviq në fjalimin e tij deklaroi edhe prioritetet normative dhe politike të pushtetit të ri ekzekutiv. Danijella Gjuroviq nga Partia Popullore Socialiste u zgjodh kryetare e Parlamentit të Malit të Zi, duke mundësuar zhbllokimin e legjislativit që ishte bllokuar tash e gati tre muaj. Kjo është hera e dytë në historinë e Parlamentit të Malit të Zi që një grua zgjidhet në krye të legjislativit në Mal të Zi. Për zgjedhjen e Danijella Gjuroviq votuan 45 deputetë, ndërsa kundër tre deputetë. Pas zgjedhjes së kryetares, Gjuroviq bëri betimin dhe ndër të tjera tha: “Betohem se do ta kryej detyrën time sipas Kushtetutës dhe ligjit, me ndershmëri, përgjegjësi dhe ndërgjegje. Kështu më ndihmoi Zoti”, deklaroi Gjuroviq. “Jam e bindur se së bashku do të gjejmë forcën për të kapërcyer ndarjet e rrënjosura thellë në shoqërinë tonë,” tha Gjuroviq në fjalimin e saj në Parlament. Ajo theksoi se edhe Qeveria edhe opozita duhet të punojnë së bashku në rrugën e integrimeve evropiane.