GJELOSHAJ DHE CUNGU UROJNË RAMEN PËR FITOREN E ZGJEDHJEVE

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, kanë uruar kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramen për fitoren e zgjedhjeve të mbajtura më 25 prill. “Jam shumë i lumtur për rezultatin tuaj historik të zgjedhjeve. Ky rezultat është provë e besimit të qytetarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve në suksesin e udhëheqjes Tuaj. Shfrytëzoni këtë sukses për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe për të mirën e çdo shqiptari kudo është. I nderuari Kryeminister, Ju lutem që një gjë mos t’a harroni në asnjë moment, nuk jeni vetëm Kryeministri i qytetarëve të Shqipërisë, por i të gjithë shqiptarëve!,“ thekson Gjeloshaj. Ndërsa kryetari i Forcës Nazif Cungu në emër të partisë politike Forca e Re Demokratike dhe në emrin e tijpersonal, i uron fitoren e bindshme në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Republikën e Shqipërisë. “Me shumë vëmendje e kemi përcjellur procesin zgjedhor dhe ju përgëzojmë për rezultatin e arritur  përmes votës së popullit e cila ju dha besimin që të udhëheqni Republikën e Shqipërisë edhe në mandatin e  ardhshëm katër vjeçar, të tretin me radhë.  Populli shqiptarë në Mal të Zi pret nga ju një bashkëpunim edhe më të fuqishëm gjatë mandatit të ardhshëm, të jeni dorë e shtrirë në ndihmën e realizimit të çështjeve shqiptare në Mal të Zi, kurse ne do të jemi çdoherë urë lidhëse e avancimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe promovimit të fqinjësisë së mirë në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë,” përfundon mesazh urimi drejtuar kryeministrit shqiptar Edi Rama. 

SHARE