Foto: AA
Dy tërmete të njëpasnjëshme, 7.7 dhe 6.6 ballë kanë goditur Mianmarin, duke prekur dhe Tajlandën.
Imazhe të postuara në Facebook tregojnë punëtorët e ndërtimit duke u larguar në panik ndërsa një gratacelë me 30 kate, në ndërtim e sipër në Bangkok, shembet gjatë tërmetit me magnitudë 7.7 ballë.
Të paktën një viktimë është konfirmuar tashmë ndërsa 43 punëtorë të tjerë janë të bllokuar nën rrënoja.
Ndërtesa e destinuar për zyra qeveritare u kthye në një mal rrënojash dhe metali në pak sekonda, treguan pamjet e shpërndara në mediat sociale.
Tërmeti i fuqishëm goditi Mianmarin dhe tajlandën fqinje, të premten, duke e kthyer kryeqytetin e mianmarit në një spital të madh të hapur, me viktima e të lënduar.
Lëkundja me magnitudë 7.7 goditi në veriperëndim të qytetit Sagaing të premten në një thellësi të cekët, tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara.
Një pasgoditje me magnitudë 6.4 goditi të njëjtën zonë disa minuta më vonë.
Tërmetet shkaktuan dëme të mëdha, veçanërisht në Mianmar, ku ndërtesat u shembën, rrugët u çanë dhe një urë e madhe u rrënua.
Të plagosurit në spitale po trajtohen jashtë, në oborre.
Përtej kufirit të Mianmarit, në Tajlandë, ku tërmetet e forta janë të rralla, lëkundjet e fuqishme bënë që banorët nëpër shumë qytete të vërshojnë në rrugë në panik.
Tërmeti bëri që kryeministrja tajlandeze të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Bangkok, ku disa shërbime të metrosë dhe hekurudhave u pezulluan, duke bllokuar më tej trafikun tashmë famëkeq të qytetit.
Aeroportet ndërkohë funksiononin normalisht.
Më herët, kryeministrja tha se kishte ndërprerë një vizitë zyrtare në ishullin jugor Phuket për të mbajtur një “takim urgjent” pas tërmetit.
Tërmeti u ndje në të gjithë rajonin, me Kinën, Kamboxhian, Bangladeshin dhe Indinë që raportuan lëkundje.
Tërmetet janë relativisht të zakonshme në Myanmar, ku gjashtë tërmete të forta me magnitudë 7.0 ose më shumë goditën mes viteve 1930 dhe 1956 pranë vijës së ndarjes Sagaing, që kalon nga veriu në jug.
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.8 në kryeqytetin e lashtë Bagan në Mianmarin qendror vrau tre persona në vitin 2016.