Foto: Reuters
Zbatimi nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Europian të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, ETIAS, është shtyrë sërish deri në tremujorin e fundit të vitit 2026.
Me mbi 37 milionë vizitorë në Evropë çdo vit, ETIAS pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në udhëtimet e personave nga jashtë BE-së. Të gjithë udhëtarëve, pavarësisht nga mosha, që vizitojnë shtetet e BE-së do t’u kërkohet të marrin ETIAS të miratuar në internet përpara udhëtimit. Dokumenti do të jetë i vlefshëm për tre vjet ose derisa të skadojë pasaporta, nëse kjo ndodh më shpejt.
Çdo udhëtar që nuk arrin të marrë një ETIAS nuk do të lejohet të imbarkohet në avion ose anije lundrimi për të shkuar në një vend anëtar. Linjat ajrore dhe operatorët e lundrimit do të jenë përgjegjës për kontrollin e vlefshmërisë së ETIAS-it të çdo pasagjeri në check-in.
Sistemi i ri i hyrje-daljeve i Bashkimit Evropia (EES) u krijua në nëntor të vitit 2017. Por që prej kësaj kohe, zbatimi është shtyrë për shkak se një pjesë e vendeve anëtare të bllokut nuk janë ende të gatshme për përdorimin e tij. Ky sistem është konsideruar si i nevojshëm për të rritur sigurinë e Bashkimit Evropian, për të pasur një kontroll se kush hyn në BE si edhe për të parandaluuar keqpërdorimet nga ata që mund të hyjnë pa viza, por pastaj nuk i respektojnë rregullat.
Kur të hyjë në fuqi, dokumenti i ETIAS do të jetë i nevojshëm të merret edhe nga qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt BE, por edhe nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që kanë përfituar nga heqja e vizave Shengen.