PRESIDENTI I SLLOVAKISË VIZITË NË SHQIPËRI

Foto: Presidenca e Shqipërisë

Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni zyrtare nga presidenti Bajram Begaj, raporton Anadolu.

Pas ceremonisë së pritjes në selinë e Presidencës së Shqipërisë, Begaj dhe Pellegrini mbajtën një konferencë për mediat, duke u fokusuar në çështjet mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, zgjerimin e Bashkimit Evropian, NATO-n, Kosovën dhe çështje të tjera.

Begaj u shpreh se me presidentin Pellegrini diskutuan aspektet të marrëdhënieve midis dy popujve e vendeve të bazuara sipas tij në respekt dhe mirëkuptim reciprok.

Një temë e rëndësishme e diskutimit të sotëm ishte edhe integrimi evropian, tha Begaj, duke shtuar se Sllovakia është gjithmonë një mbështetëse aktive dhe nxitëse e vendosur e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Bazuar në progresin tonë jemi shumë optimistë për të hapur brenda këtij viti të gjithë grup-kapitujt. Po ashtu në objektivin tonë kombëtar ne synojmë mbylljen e negociatave me BE-në deri në vitin 2027 dhe jemi optimistë se do të finalizojmë anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”, tha Begaj.

Begaj u shpreh se kanë theksuar edhe një herë se e ardhmja e rajonit është në BE.

Ai tha se kanë diskutuar edhe për Kosovën, duke theksuar se “Shqipëria vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e stabilitetit rajonal dhe mbështet pa rezerva rrugën euroatlantike të Kosovës”.

“Shqipëria shpreson në mbështetjen e Sllovakisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për mundësinë e rishikimit të qëndrimit lidhur me Republikën e Kosovës”, tha ndër të tjera Begaj.

– “Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në rrugën e saj për anëtarësimin në BE

Pellegrini gjatë deklaratës u shpreh se dy vendet kanë marrëdhënie të sinqerta për mbrojtjen të cilat sipas tij janë të lidhura me anëtarësinë në NATO.

Presidenti sllovak tha se Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në rrugën e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Pa zgjerim të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, projekti evropian nuk ka për të qenë i plotë. Republika e Sllovakisë do të jetë një aleate e përhershme e Shqipërisë në procesin e aderimit (në BE) dhe është një avokate e fortë dhe mbështetëse për Shqipërinë në procesin e aderimit”, tha ai.

Presidenti i Sllovakisë tha se me presidentin Begaj diskutuan edhe mbi rritjen e buxhetit për mbrojtjen dhe rritjen e industrive të mbrojtës.

Pellegrini tha se ka diskutuar edhe për Kosovën dhe duke folur për qëndrimin e Sllovakisë ndaj Kosovës ai tha se “Nuk ka të bëjë me kombin shqiptar. Kombi shqiptar është një komb mik. Kjo është e bazuar kryesisht në rregullat e diplomacisë tonë për momentin”.

Kjo është vizita e parë e një presidenti sllovak në Shqipëri.

SHARE