Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveritë e Malit të Zi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe investime të përbashkëta në një ceremoni të organizuar në Pallatin Presidencial në Abu Dhabi.
Marrëveshjet u nënshkruan nga kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq dhe zëvendëskryeministri njëherësh ministër i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, në prani të presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.
Qëllimi i marrëveshjes është të inkurajojë zhvillimin e bashkëpunimit mbi bazën e barazisë dhe përfitimit reciprok në përputhje të plotë me legjislacionin e të dy vendeve.
Bashkëpunimi do të përfshijë fusha të shumta, me fokus të veçantë në projekte strategjike dhe me interes publik, të cilat do të sjellin përfitime ekonomike për qytetarët e të dy vendeve.
“Mali i Zi ka nevojë për investime nga kompani të besueshme që kanë pasur dekada projekte të mëdha të suksesshme dhe për të cilat vendet më me reputacion në botë janë gati të garantojnë. Marrëveshja për Bashkëpunim Ekonomik ka krijuar bazën për zgjerimin e fushës së bashkëpunimit, e cila do të rezultojë në investime më të mëdha në Mal të Zi. Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e turizmit paraqet bazën për projekte që do të përshpejtojnë me shpejtësi rritjen ekonomike, do të krijojnë vende të reja pune, do të përmirësojnë standardin dhe cilësinë e jetës, duke shpërndarë në mënyrë të barabartë përfitimet – në jug dhe veri të vendit. Prandaj theksoj dispozitën e Marrëveshjes që parashikon zhvillimin e projekteve në rajone të ndryshme të Malit të Zi për herë të parë në histori, duke pasur parasysh zhvillimin e balancuar të vendit tonë”, theksoi kryeministri Millojko Spajiq pas nënshkrimit.
Kryeministri Spajiq tha gjithashtu se kjo është një mundësi e madhe për Malin e Zi për zhvillim të përshpejtuar ekonomik, dhe me këtë një hap drejt pagave, pensioneve dhe përfitimeve shumë më të larta për të gjithë qytetarët tanë.