KOMUNA E ULQINIT KËRKON MBËSHTETJEN E BE-së DHE AMBASADËS PËR RASTIN PLAZHIN E MADH

Foto nga takimi i sotëm

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, së bashku me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, zhvilluan një takim me shefin e Delegacionit të BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, ambasadorin e Republikës së Gjermanisë, Peter Felten, dhe ambasadoren e Republikës së Italisë, Andreina Marsella.

Siç thuhet në deklaratën për media, gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit i informuan misionet diplomatike mbi zhvillimet aktuale që lidhen me Plazhin e Madh, duke theksuar shqetësimin e tyre për planet e Qeverisë, të cilat po hartohen dhe po implementohen pa konsultime me autoritetet vendore, planet hapësinore të miratuara dhe, më e rëndësishmja, pa përfshirjen e popullatës së Komunës së Ulqinit.

Përfaqësuesit e Komunës ndër të tjera theksuan se:

Ulqini mbetet i hapur për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, por në mënyrë transparente dhe në përputhje me interesat e qytetarëve të tij.

Të gjithë këshilltarët e Komunës, pavarësisht përkatësisë politike, kanë votuar njëzëri për mbrojtjen e interesave të Komunës në raport me këtë çështje.

Gjithashtu, gjatë takimit, përfaqësuesit e Komunës i dorëzuan misioneve diplomatike përfundimet e Kuvendit Komunal, të cilat reflektojnë qëndrimin zyrtar të përfaqësuesve të qytetarëve të Ulqinit lidhur me këtë çështje.

Ata më tej shtojnë se në rast të realizimit të këtij projekti në formën e propozuar, priten pasoja të konsiderueshme për komunitetin lokal, ekonominë e vendit dhe ekosistemin natyror të zonës.

Për këtë arsye, përfaqësuesit e Komunës kanë kërkuar mbështetjen e përfaqësuesve të BE-së dhe ambasadave për të parandaluar dhënien e të gjithë Plazhit të Madh pa një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës konsultimi.

„Komuna e Ulqinit mbetet e përkushtuar për të mbrojtur interesin e qytetarëve të saj dhe për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me ligjet dhe standardet evropiane,“ thuhet në deklaratë për media.

SHARE