GJELOSHAJ: TË NDIKOHET NË ULJEN E ÇMIMEVE, POR JO TË RREZIKOHET EKONOMIA APO BUXHETI

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Në seancën konsultative për çmimet në zinxhirët e shitjes me pakicë, në kuadër të seancës së Komisionit për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, tha se për këtë çështje është punuar gjatë gjithë periudhës së funksionimit të Qeverisë.

“Dua vetëm të theksoj se rritja e inflacionit në Mal të Zi është diçka që ka ndodhur në periudhën para Qeverisë së 44-të të Malit të Zi. Kemi pasur rritjen më të lartë të inflacionit nga viti 2021 deri në vitin 2023. Rrethanat e ndryshme kanë ndikuar në këtë dhe mendoj se ndikimin më të vogël e ka pasur ajo që ka ndodhur në Mal të Zi.  Ne e gjetëm këtë situatë në këtë mënyrë dhe më pas për një vit e më shumë, me punën e Qeverisë, morëm masat që ishin të mundshme. Mendoj se të dhënat për vitin 2024 do të tregojnë rritje ekonomike në Mal të Zi, por edhe rritje të fitimeve të kompanive, që është një mesazh shumë i mirë për ne”, tha Gjeloshaj.

Më tej ministri Gjeloshaj theksoi se ka pasur ndërhyrje në treg.  

“Megjithëse e dimë që nuk janë masa popullore, ne u detyruam të mbrojmë standardin e jetesës së qytetarëve në atë që ne e quajmë kategorinë sociale, në pikat më elementare, që janë nevojat e qytetarëve. Dhe ai aksion filloi në fillim të vitit të kaluar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Të gjithë treguesit e këtij aksioni kanë treguar se kemi arritur në atë që është synuar, që është ndalimi i rritjes së inflacionit, ndalimi i rritjes së çmimeve të këtyre produkteve më elementare”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Ai tha se do të vazhdojë me këtë aksion.

“Ajo që shohim është e mirë për qytetarët, diku shohim që nuk e kemi rrezikuar shumë ekonominë tonë, mendoj se duhet të vazhdojmë bashkëpunimin e mëtejshëm me Odën Ekonomike dhe me përfaqësues të Shoqatës së Punëdhënësve, duke rihapur atë dialog dhe të shohim se çfarë opsionesh ka për të vazhduar ruajtjen e nivelit aktual të çmimeve për ushqimet bazë,” tha Gjeloshaj.

Ai gjithashtu theksoi se është formuar një trup koordinues për të ndikuar në çmimet e barnave.

“Dhe siç e dini tashmë, në procedurë parlamentare është një ligj që do të na mundësojë të rregullojmë çmimet e barnave pa recetë, që të mund të ndërhyjmë në atë organ, do të thotë të kufizojmë çmimet e barnave pa recetë. Natyrisht, ne jemi sot këtu për të hapur një dialog, për të dëgjuar nëse ka ndonjë sugjerim, ide, që së bashku të arrijmë në një përfundim, nëse mund të punojmë së bashku për të parë se ku mund të ndihmojmë shtesë për të ndikuar në uljen e çmimeve, por në të njëjtën kohë, të mos rrezikojmë ekonominë, buxhetin e shtetit apo atë që është një strategji e përbashkët për të ndihmuar së pari kategoritë sociale më të cenueshme të shoqërisë”, tha Gjeloshaj.

SHARE