Parlamenti i Hungarisë ratifikoi të hënën aplikimit për anëtarësim e Finlandës në NATO. Por, ende nuk është votuar edhe për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake.
Finlanda dhe Suedia kërkuan t’i bashkohen NATO-s vitin e kaluar, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Por ky proces është penguar nga Turqia dhe Hungaria. Megjithëse aplikimi finlandez tashmë është miratuar, ai suedez është ende i bllokuar në parlamentin hungarez.
Projektligji për pranimin e Finlandës në NATO u miratua me 182 pro dhe gjashtë vota kundër, pasi u shty disa herë.
Hungaria mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s, që përveç Turqisë, nuk ka miratuar ende aplikimin e Suedisë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore. NATO-ja kërkon që të 30 shtetet të ratifikojnë aplikimet për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.