DJE JANË MBAJTUR ZGJEDHJET LOKALE NË ULQIN DHE BERANE

Dje janë mbajtur zgjedhjet lokale në Ulqin dhe Berane. Sipas rezultateve preliminare, Koalicioni “Fillim i Ri” (URA, PD, SD, SDP dhe ASH), fitoi më së shumti vota, me 14 mandate ose 42,61% të votave të fituara. Koalicioni PDS – Partia Boshnjake fitoi 6 mandate (18,74%), poashtu edhe Koalicioni UDSH – LdnëMZ fitoi 6 mandate (17,14%). Forca e Re Demokratike ka fituar 5 mandate (14,28%), ndërsa Demokratët fituan 2 mandate (7,22%). Gjithsej 5 lista zgjedhore morën pjesë në zgjedhjet e së dielës në komunën e Ulqinit, e banuar me shumicë shqiptare. Në këtë komunë të drejtë vote kishin 20.392 banorë, por sipas raporteve të komisionit komunal të zgjedhjeve në Ulqin, vetëm rreth 55 për qind e tyre morën pjesë në votime. Procesi zgjedhor, sipas zyrtarëve komunal dhe vëzhgueseve, ishte i qetë dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar. Ata thanë se edhe aspekti teknik i procesit zgjedhor ishte i rregullt dhe pa ndonjë shkelje procedurale. Edhe në Berane, u mbajtën zgjedhjet vendore por pjesëmarrja atje ishte më e madhe, rreth 70 për qind. Në këtë komunë garuan 8 lista zgjedhore dhe lufta më e ashpër politike ishte mes Partisë Demokratike Socialiste të presidentit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe partive pro-serbe dhe pro-ruse, që po përpiqen ta ruajnë pushtetin në këtë komunë. Sipas rezultateve paraprake koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve fitoi më shumë vota dhe do të ketë 9 mandate në Kuvendin e ri të Beranes. Menjëherë pas tyre rreshtohet Partia Socialiste Popullore me 7 mandate, ndërsa lista Për Ardhmërinë e Beranes (Fronti Demokratik) dhe Demokratët do të kenë nga gjashtë mandate. Të drejtë vote në Berane kanë pasur 23.535 zgjedhës, të cilët kanë votuar në 56 vendvotime.

SHARE