SITUATË E RËNDË NË VIJËN E FRONTIT / ZELENSKI LËSHON ALARMIN: BAKHMUTI NË RREZIK

Situata në qytetin e Bahmutit, në lindje të Ukrainës, është duke u bërë “secilën herë e më e vështirë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Forcat ruse janë duke tentuar që ta marrin këtë qytet që gjashtë muaj. “Armiku është duke shkatërruar vazhdimisht gjithçka që mund të përdoret për të mbrojtur pozicionet tona”, ka thënë Zelensky.

Disa prej luftimeve më të ashpra në Ukrainë, prej kur Rusia e ka nisur luftën një vit më parë, janë duke u zhvilluar në qytetin e Bahmutit.

Ky qytet ndodhet në rajonin ukrainas të Donjeckut, i cili është nën kontrollin e Rusisë dhe aleatëve të saj separatistë.

Zelensky është shprehur “mirënjohës për secilin ukrainas që në mënyrë heroike ka mbajtur pozicionet” në këtë zonë.

Ai i ka falënderuar aleatët për dërgimin e pajisjeve ushtarake moderne, në mënyrë që Ukraina të mbrohet nga “terrori rus”.

Deklaratat e liderit ukrainas kanë ardhur pasi Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen e ka paralajmëruar Kinën kundër dërgimit të armëve në Rusi. Përgjatë vizitës në Kiev, Yellen ka thënë se Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmojnë ekonomisë ukrainase me 1.25 miliard dollarë.

Më herët, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Ukraina do të bëhet anëtare e aleancës veri-atlantike në “periudhë afatgjatë”, por nënvizoi se çështje më e rëndësishme tani është që ajo të mbetet shtet i pavarur përballë luftës së Rusisë.

“Aleatët e NATO-s janë pajtuar që Ukraina do të jetë anëtare e aleancës sonë, mirëpo ajo është perspektivë afatgjatë. Tani cështje kyce është që ukraina të triumfojë si komb i pavarur dhe sovran, ndaj ne duhet ta mbështesim atë. Kur lufta të përfundojë “ne duhet të sigurohemi që historia të mos përsëritet”.

Shefi i NATO-s po ashtu, përsëriti edhe një herë se ai pret që Finlanda dhe Suedia të bëhen pjesë e aleancës së shpejti dhe të kapërcehen pengesat e paraqitura nga Turqia në këtë proces.

Të shtyrë nga pushtimi rus i Ukrainës, të dyja këto vende përmbysën politikën e hershme të tyre të paanshmërisë dhe aplikuan për anëtarësim në aleancën perëndimore të mbrojtjes në maj të vitit të kaluar.

SHARE