UKRAINA DO ARMËPUSHIM; RUSIA PËR MARRËVESHJE ME INTERES TË PËRBASHKËT

Në ditën e pestë të pushtimit rus të Ukrainës, delegacionet e dy vendeve kanë nisur bisedimet në Bjellorusi, që synojnë t’i japin fund luftës. Zyra e presidentit ukrainas tha se dëshiron armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e forcave ruse. Ndërkaq, Moska, sipas negociatorit rus, Vladimir Medinsky, dëshiron të arrijë një marrëveshje që është në interes të të dyja palëve. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleatët e NATO-s po e rrisin mbështetjen për Ukrainën, me raketa të mbrojtjes ajrore, me armë antitank, si dhe me ndihma humanitare dhe financiare. Dhjetëra civilë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur nga bombardimet e rënda të ushtrisë ruse në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, thanë zyrtarët ukrainas. Një ditë më herët, Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës ka thënë se së paku 352 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus.

SHARE