SHQIPËRIA, SHIFRA REKORD TË KURSIMEVE

Kursimet e qytetarëve, bizneseve apo institucioneve të tjera, pranë llogarive depozituese në bnakat e nivelit të dytë në Shqipëri, kanë pësuar rritje, duke shënuar një nivel të ri rekordi historik. Referuar të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, në fund të janarit 2022, stoku i kursimeve në banka ka arritur në 1.23 trillionë lekë, duke u rritur me 1.5 për qind krahasuar me muajin dhjetor. Kryesisht rritja e kursimeve ka ndodhur në depozitat në valutë të huaj, nisur edhe nga kursi i këmbimit, ndërsa kursimet në lekë kanë pësuar një rënie të lehtë. Rritja e kursimeve është një fenomen i pritshëm edhe gjatë muajve në vijim. Momentalisht, ekonomia shqiptare ndodhet në një periudhë inflacioniste, e thënë më thjesht rikthimi i menjëhershëm i aktivitetit ekonomik, pas peridhës pandemike, bëri që çmimet e shportës të rriteshin menjëherë si pasojë e rritjes së kërkesës. Kjo gjë e çoi inflacionin në 3.7 për qind, shumë larg targetit prej 3 për qind të vendosur nga banka e Shqipërisë. Rikthimi në target, do të kërkojë një politikë monetare kontraktuese nga ana e Bankës së Shqipërisë, e cila pritet të sjellë rritje të interesit bazë të llogarive bankare, kjo për të frenuar kërkesën. Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e kursimeve në banka është përshpejtuar ndjeshëm dy vitet e fundit, pasi në periudhën 2017-2018 shënuan rënie për herë të parë në historinë e pas tranzicionit dhe ngadalësimit të ndjeshëm në 2013-2016. Gjatë vitit pandemik, kursimet u nxitën nga monedha vendase, teksa individët nuk kishin shumë mundësi të shpenzonin, ndërsa në 2021 ishte valuta ajo që udhëhoqi rritjen.

SHARE