UNIONI I PUNËDHËNËSVE I KËRKOI INSTITUCIONEVE TË ZGJIDHIN PROBLEMIN E NDALIMIT TË TRAFIKUT TË MALLRAVE

Foto: Ilustrim

Unioni i Punëdhënësve i ka bërë thirrje Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse që sa më shpejt të trajtojnë problemin që është shkaktuar nga bllokada e pikave kufitare dhe ndalimi i trafikut të mallrave.

“Respektimi i së drejtës për protestë është legjitim, por vetëm deri në kufijtë që mbrojnë ekonominë dhe nuk dëmtojnë qytetarët dhe bizneset. Bllokimi i kufijve si mënyrë shprehjeje e pakënaqësisë ka pasoja negative dhe afatgjata, duke dëmtuar ambientin e biznesit dhe reputacionin e Malit të Zi si partner ekonomik i besueshëm“, theksoi Unioni i Punëdhënësve.

Ata thanë se janë të shqetësuar për bllokadat në pikat kufitare që po organizon që nga e hëna Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave.

“Për shkak të bllokimit të kufijve dhe pamundësisë që mallrat të dalin nga vendi, shtetet e Ballkanit po pësojnë dëm të drejtpërdrejtë, i cili llogaritet të jetë rreth 100 milionë euro. Aktivitetet e tilla rrezikojnë drejtpërdrejt ekonominë, procesin e furnizimit dhe, për rrjedhojë, aktivitetin e shumë kompanive“, thuhet në deklaratë.

Ata mendojnë se kërkesat legjitime të të gjithë pjesëmarrësve në sistemin ekonomik duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, dhe kanë bërë thirrje që institucionet të veprojnë sa më shpejt për të zgjidhur këtë problem.

Rikujtojmë se Shoqata e Transportuesve Ndërkombëtarë të Mallrave të Malit të Zi ka organizuar bllokada të trafikut të mallrave në pikat kufitare dhe në Portin e Barit, ndërsa dje lejuan të kalojnë transportuesit që transportojnë derivatet e naftës për institucionet publike.

SHARE