Evropa duhet të shtojë përpjekjet për mbrojtje dhe të luajë një rol më të madh në NATO, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka “tronditur marrëdhënien transatlantike deri në themel”, tha të mërkurën kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas. “Le të jem e qartë: ne duam lidhje të forta transatlantike. SHBA-të do të mbeten partnere dhe aleate e Evropës. Por Evropa duhet të përshtatet me realitetet e reja. Evropa nuk është më qendra e gravitetit të Uashingtonit”, tha Kallas gjatë një konference për mbrojtjen në Bruksel. “Ai ndryshim ka nisur prej një kohe. Është strukturor, jo i përkohshëm. Do të thotë se Evropa duhet të ndërmarrë hapa për mbijetesën e saj”, shtoi ajo. Trump ka tronditur aleatët evropianë këtë muaj duke kërcënuar se do t’ia merrte Groenlandën me forcë Danimarkës, anëtare të NATO-s dhe BE-së, përpara se të tërhiqte kërcënimin e tij. Kjo krizë, më e fundit që ka dëmtuar marrëdhëniet që nga ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë një vit më parë, ka shtuar thirrjet që kontinenti të reduktojë mbështetjen e tij tek superfuqia ushtarake dominuese e NATO-s. Kallas është e bindur se NATO mbetet themeli i sigurisë evropiane. Ajo tha se përpjekjet e BE-së duhet të “mbeten plotësuese” të atyre të aleancës, por theksoi se Evropa duhet të luajë një rol më të madh. “Sidomos tani, ndërsa SHBA-të po i drejtojnë sytë përtej Evropës, NATO duhet të bëhet më evropiane për të ruajtur forcën e saj”, tha ajo. “Për këtë, Evropa duhet të veprojë”. Vendet evropiane kanë rritur tashmë buxhetet e mbrojtjes që kur Rusia pushtoi Ukrainën katër vjet më parë, dhe ranë dakord vitin e kaluar të rrisin ndjeshëm objektivin e shpenzimeve të NATO-s nën presionin e Trump. BE-ja vitin e kaluar gjithashtu prezantoi një sërë iniciativash që synojnë të motivojnë anëtarët e saj të investojnë 800 miliardë euro shtesë në mbrojtje. Komentet e Kallas vijnë pasi shefi i NATO-s, Mark Rutte, i tha ligjvënësve të BE-së të “vazhdojnë të ëndërrojnë” nëse mendojnë se Evropa mund të mbrohet pa Shtetet e Bashkuara.








