GJYKATA KUSHTETUESE SHFUQIZON NDALIMIN E PUNËS SË DYQANEVE TË DIELAVE

 Foto: Shutterstock

Portparoli i Gjykatës Kushtetuese, Danillo Ajkoviq, njoftoi se Gjykata ka vendosur se dispozita e ligjit mbi tregtinë e brendshme që parashikonte ndalimin e punës së dyqaneve të dielave dhe gjatë ditëve të festave është e pavlefshme dhe jo kushtetuese.

Vendimi u mor pasi u vlerësua se ligji shkelte parimin e barazisë përpara ligjit dhe kufizonte lirinë e sipërmarrjes në mënyrë të pabazuar.

Dispozita e ligjit (neni 35a), që kishte hyrë në fuqi më 15 tetor 2019, lejonte disa kategori dyqanesh të punonin (p.sh. farmacitë, piceritë, furra buke, kioskat, stacionet e karburantit etj.), ndërsa të tjerët ndaleshin, duke krijuar një pozicion të pabarabartë për sipërmarrësit.

Gjykata theksoi se kufizimi i të drejtave të sipërmarrësve duhet të ketë arsye të qarta dhe legjitime në interes publik, si mbrojtja e shëndetit, mjedisit, trashëgimisë kulturore, sigurisë apo mbrojtjes së shtetit, dhe nuk mund të vendoset pa një qëllim të saktë dhe të arsyeshëm.

Në rastin e këtij ligji, nuk ishte përcaktuar qëllimi i kufizimit, ndërkohë që disa biznese u favorizuan në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke krijuar padrejtësi.

Vendimi u mor njëzëri dhe hyrja e tij në fuqi do të bëhet pas publikimit në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi. Gjykata nënvizoi se ligjvënësi mund të rregullojë në mënyrë tjetër punën e dyqaneve të dielave, por vetëm duke respektuar vlerat dhe parimet kushtetuese.

SHARE