MINISTRI JOKOVIQ VIZITOI FABRIKËN E ÇIPSIT NË TUZ

Foto: Komuna e Tuzit /Facebook/

Kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave në Qeverinë e Malit të Zi Vlladimir Jokoviq vizituan fabrikën e çipsit në Tuz.

Gjatë vizitës së tyre në fabrikë u njohën më nga afër me të gjitha etapat e procesit të prodhimit të çipsit, duke filluar nga përzgjedhja e lëndës së parë e deri te produkti final. Po ashtu, drejtuesit e fabrikës prezantuan kapacitetet prodhuese, teknologjitë e përdorura si dhe mënyrën e shitjes në treg.

Kryetari Gjelaj, siç njofton komuna e Tuzit, e njoftoi ministrin Jokoviq me planet zhvillimore që komuna po realizon për bujqësinë dhe subvencionet e parapara për vitin 2025 të cilat arrijnë vlerën prej 589.000 euro.

Gjelaj i bëri thirrje ministrit për bashkëpunim ndërinstitucional në të mirë të bizneseve vendore.  

Ndërsa, ministri Jokoviq nga ana tjetër përgëzoi stafin e kompanisë për punën e palodhshme si dhe ftoi të gjithë që të blejnë prodhimet vendase.  

„Kjo vizitë nënvizoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për bizneset, të cilat luajnë një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe në hapjen e vendeve të reja të punës,“ thuhet në njoftim.

SHARE