Foto: Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Presidentit të Malit të Zi / Kancelarija za odnose sa javnošću predsjednika Crne Gore
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë në Mal të Zi që të angazhohen në dialog të hapur dhe të arrijnë unitetin shtetëror në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), duke deklaruar se është i gatshëm të luajë rolin e ndërmjetësit.
I pyetur nga një gazetar se ku e sheh zgjidhjen e situatës politike në Mal të Zi dhe bllokadës së Parlamentit, Millatoviq u përgjigj se në vend ka sfida që janë kryesisht të natyrës politike.
“U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë që të angazhohen në dialog të hapur dhe të arrijnë unitetin shtetëror kur është në pyetje interesi shtetëror, përkatësisht anëtarësimi në BE deri në vitin 2028”, tha ai.
Millatoviq tha se vizita e tij në Poloni dhe bisedimet me zyrtarë nga ai vend ishin një sinjal inkurajues se Mali i Zi ka një vend në BE dhe se “ëndrra jonë është e arritshme”.
„Pres përgjegjësi nga të gjitha palët e interesuara, respektim i Kushtetutës dhe ligjit, por edhe i institucioneve në nivel lokal”, tha Millatoviq.
Ai theksoi se nëse mund të ndihmojë si ndërmjetës nga posti i tij si president, është më se i gatshëm ta bëjë këtë.