KONFERENCË, BASHKËPUNIMI I NGUSHTË ËSHTË ÇELËSI PËR TA BËRË REALITET INTEGRIMIN EKONOMIK TË RAJONIT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ndërsa punojmë në negociata dhe reforma, duam që qytetarët tanë ta shohin dallimin dhe përparimin në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, tha ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq.

Ajo mori pjesë në konferencën “Fuqizo. Integro. Rritu“ i cili mblodhi së bashku ministra, përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Komisionit Evropian rreth temës – Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Gorçeviq rikujtoi se viti i kaluar ishte i suksesshëm për të gjitha vendet e rajonit dhe se u shënua nga një numër i madh iniciativash me rezultate konkrete.

“Të gjitha këto iniciativa janë këtu për qytetarët. Jo vetëm SEPA, të gjitha nismat e tjera që kanë dalë nga Plani i Rritjes mund të mundësojnë përparim ekonomik në të gjithë rajonin. Ndërsa punojmë në negociata dhe reforma, duam që qytetarët tanë të shohin dallimin dhe përparimin në rrugën drejt anëtarësimit të plotë”, tha Gorçeviq.

Konferenca u hap nga Predrag Zenoviq, kryenegociator i Malit të Zi me Bashkimin Evropian dhe Peter Felten, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Mal të Zi.

Duke folur për komplementaritetin e Planit të Rritjes me procesin e negociatave, Zenoviq tha se Agjenda e Reformave do të jetë kornizë për zbatimin e aktiviteteve që përkojnë me reformat në procesin e negociatave.

“Pikërisht ky instrument do të përshpejtojë zbatimin e reformave dhe konvergjencën socio-ekonomike të rajonit, duke përmirësuar standardin e jetesës dhe cilësinë e jetës së qytetarëve”, tha ai, sipas një komunikate nga Ministria e Çështjeve Evropiane.

Sipas tyre, ambasadori Felten tha se e konsideron si një shenjë të mirë që të gjitha vendet e rajonit dhe institucionet përkatëse e shohin integrimin ekonomik rajonal si synim kyç të politikave, me qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik rajonal, pra edhe kombëtar.

“Unë e shoh këtë si një shenjë që të gjitha vendet në rajon janë të vendosur të punojnë ngushtë së bashku për ta bërë integrimin ekonomik rajonal një realitet,” tha Felten.

Bashkëbiseduesit ranë dakord se ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor zbatojnë reformat, presin një sinjal më të madh mbështetjeje nga BE-ja, e cila do të konfirmonte se rajoni është në rrugën e duhur dhe se rezultatet konkrete dhe shpërblimet për arritjet janë kyçe për përparimin e mëtejshëm.

SHARE