NIMANBEGU, NIKA DHE GJELAJ, TAKOJNË KRYETARIN E PARLAMENTIT TË MALIT TË ZI ALLEKSA BEÇIQ

Sot Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika së bashku me sekretarin e Këshillit Kombëtar Lindon Gjelaj dhe deputetin Genci Nimanbegu realizuan një takim me Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi Alleksa Beçiq.  Ky takim u realizua si një akt final i respektimit të Ligjit për simbolet kombëtare, i cili përcakton se shembujt autentik të simboleve kombëtare të pakicave (Etaloni i Flamurit, Himnit dhe stemës), ruhen të kryetari i Kuvendit të Malit të Zi. “Për shqiptarët ky është një moment i veçantë, sepse shënon plotësimin e një prej kërkesave tona themelore në promovimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar,” thekson Nika. Ndër të tjera u diskutua edhe për çështjet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen sot shqiptarët në Malin e Zi, në përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen nga fenomeni i asimilimit dhe emigrimit.  Në përmbyllje të takimit të pranishmit u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit institucional më qellim avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare.

SHARE