MBYLLET EDHE NJË INSTITUCION PARALEL NË VERI TË KOSOVËS

Foto: AA

Policia e Kosovës ka mbyllur më 27 dhjetor një tjetër institucion që vepronte sipas sistemit të Serbisë – Ndërmarrja Publike për Urbanizëm në Mitrovicën e Veriut – ka konfirmuar për Radio Evropën e Lirë zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai tregoi se Policia ka reaguar pasi ka pranuar informacion se një ndërmarrje e tillë gjendet në një ndërtesë banimi afër Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut dhe më pas ky informacion u vërtetua si i saktë.

“Pasi që është kontaktuar prokurori i rastit, dokumentet që u gjetën atje u konfiskuan dhe disa persona u intervistuan dhe rasti si falsifikim i dokumenteve i bashkëngjitet rastit të mëhershëm që e kishim me strukturën paralele të Mitrovicës së Veriut”, tha Elshani, duke shtuar se nuk ka të arrestuar për këtë rast.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e dënoi mbylljen e Ndërmarrjes Publike për Urbanizëm në Mitrovicën e Veriut, duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po përpiqet ta “destabilizojë rajonin me lëvizje të njëanshme” në Kosovë.

“Edhe një herë po i shohim pamjet e turpshme të pafuqisë së Kurtit. Ai vazhdon t’i terrorizojë serbët dhe pushimet i shfrytëzon për të vazhduar me skenarin e tij terrorist dhe plaçkitjen e jashtëligjshme të pronave serbe në veri të Kosovës dhe ‘Metohisë’”, shkroi ai në Instagram.

Sipas tij, në këtë ndërmarrje ishin të punësuar dhjetë punëtorë.

SHARE