KURTI: VENDIMI PËR TARGA, PASI TË VËRTETOHET ZBATIMI NGA SERBIA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pasi Policia e Kosovës do të vërtetojë që Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin për pranimin e targave të Republikës së Kosovës, ekzekutivit kosovar do të marrë vendimin “e barasvlershëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore”.

Në mbledhjen e qeverisë, më 27 dhjetor, Kurti tha se Serbia po e përdor çështjen e targave për të ulur presionin ndërkombëtar ndaj saj, si dhe “për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 25 dhjetor se Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë.

“… ky veprim i Serbisë që, më shumë se konstruktiv dhe hap drejt normalizimit, është një manovër e radhës jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për të Kosovës, për hir të pushtetit në Beograd”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Për një gjë të tillë, Serbia ishte pajtuar me marrëveshjen e vitit 2011, të arritur mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Qëndrimi ynë sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit, do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv, vendimin tonë të barasvlershëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore do ta marrim, sapo që policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj. Ne besojmë se kjo qasje është drejtë përveç se e arsyeshme”, tha Kurti të mërkurën.

Duke folur për vendimin e Serbisë për pranimin e targave RKS, Kurti tha se një vendim i tillë po vjen “pas një moszbatimi më shumë se 10-vjeçar të marrëveshjeve paraprake”.

Ai tha se Serbia e ka përdorur çështjen e targave fillimisht për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të Kosovës, ndërsa tani, sipas tij, po e përdorë për t’i ulur kritikat nga Perëndimi pas “parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e dhjetorit atje”.

“[Targat] po përdoren për të ulur presionin nga perëndimi, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi Serbinë për zgjedhje jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar të marrëveshjes bazike në Bruksel, që e ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, [Ana] Bërnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor, dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator”, tha Kurti.

SHARE