Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, mori pjesë në konferencën rajonale CORE Days 2025 në Beograd, ku theksoi rolin vendimtar të vetëqeverisjes lokale në krijimin e një ekonomie konkurruese në vend dhe rajon.
Ai theksoi se administrata lokale efikase, profesionale dhe e digjitalizuar është parakusht për rritje ekonomike më dinamike dhe për shfrytëzimin e plotë të potencialeve zhvillimore të komunave.
Dukaj rikujtoi se Mali i Zi mbetet një nga shtetet më të centralizuara në rajon, ndaj forcimi i kompetencave lokale është i domosdoshëm.
Ai paralajmëroi zbatimin e modelit të decentralizimit asimetrik, që do t’u japë komunave të përgjegjshme dhe të zhvilluara statusin e qytetit dhe kompetenca shtesë në fusha si arsimi parashkollor, shëndetësia dhe mbrojtja sociale.
Digjitalizimi i shërbimeve lokale mbetet prioritet i qeverisë, ndërsa të gjitha komunat pritet së shpejti të integrohen në sistemin elektronik GSB, që do të shkurtojë procedurat administrative dhe do të ulë kostot.
Në konferencë u ndanë edhe certifikatat BFC për mjedis të favorshëm biznesi, të cilat nga Mali i Zi i morën komunat Tivar, Tuz, Bijello Pole dhe Zhablak.
Dukaj tha se shembujt pozitivë të komunave duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për zhvillimin lokal.









