Foto: Vijesti
Në hapjen e konferencës së Qendrës për Tranzicion Demokratik “25 vjet të reformës së drejtësisë”, ministri i Drejtësisë Bojan Bozhoviq deklaroi se vetingu në sistemin gjyqësor duhet të jetë proces i vazhdueshëm, e jo fushatë presioni.
Ai theksoi se Mali i Zi është në një moment vendimtar reformash, me synimin që deri në fund të vitit të ardhshëm të mbyllen kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me BE-në.
Bozhoviq nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe futjen e kritereve të matshme për vlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Kryetari i Gjykatës Administrative, Miodrag Peshiq, tha se pavarësisht 25 viteve reformash, progresi nuk ka qenë i dukshëm.
Ai theksoi se ngarkesa e madhe me lëndë ka vështirësuar punën e gjykatës, por se është arritur të shkurtohet ndjeshëm kohëzgjatja e proceseve – nga 1411 ditë në vitin 2023 në 870 ditë në vitin 2024.
Drejtori i Qendrës për Tranzicion Demokratik, Dragan Koprivica, vlerësoi se sistemi i drejtësisë lëkunden mes standardeve formale evropiane dhe problemeve reale të varësisë politike, efikasitetit dhe mungesës së përgjegjësisë. Ai kritikoi partitokracinë si pengesën kryesore të reformave dhe theksoi se vetingu është shndërruar në slogan populist pa qartësi dhe garanci të paanshmërisë.
Konferenca nxori në pah se pas 25 vitesh reformash, drejtësia në Mal të Zi ende përballet me sfida të mëdha, por edhe me mundësi për ndryshime thelbësore nëse ekziston vullneti politik dhe shoqëror.









