“DONA&NIK PHOTOSTUDIO” HAP DYERT NË MANHATTAN – NY

Ditën e hënë, më 21 nëntor 2022 në orën 18:00 në Manhattan, New York, u bë përurimi i studios së dy fotografëve profesionistë shqiptarë që jetojnë e punojnë në SHBA, Liridona Gjokaj Morina dhe Nik Morina: “Dona & Nik Photostudio”. Në këtë mbrëmje promovuese morën pjesë miq, dashamirës dhe familjarë të çiftit Morina, të cilët janë jo vetëm bashkëpunëtorë, por edhe bashkëshortë. Liridona Gjoka Morina ka fituar disa çmime ndër to “Photographer of the Year (2019)”, gjithashtu, Nik Morina gëzon çmimin “Top Photographer” në Pennsylvania. Të pranishëm në hapjen e studios fotografike “Dona&Nik Photostudio” ishin artistë si Faton Macula, Vedat Ademi, Arenc Leka. Pjesë e këtij eventi ishin edhe dizajnerët si Arta Kallaba, Miranda Kurtishi; emra të tjerë të njohur nga komuniteti shqiptar në New York, etj. Gjatë gjithë aktivitetit, pjesëmarrësit patën kënaqësinë të dëgjojnë tinguj muzikorë nga violina e Arenc Lekës dhe kitara e Faton Maculës.
Organizatorët e kishin konceptuar paraqitjen e punës së tyre përmes fotove të ekspozuara në muret e studios, nga ku nuk munguan zhanret si: fotografi profili të personazheve të njohur të botës së artit e të modës, fotografi nga pasarelat e Fashion Week që janë zhvilluar në New York përgjatë viteve të ndryshme, fotografi nga çastet më të rëndësishmë familjare si fejesa dhe martesa, etj. Nuk kishte si të mungonte në një studio fotografike edhe këndi i fotove të çastit (boothpics) por edhe shkrepjet nga aparatet profesionale. Që nga nisja e eventit dhe deri në përfundim, të pranishmit provuan shijen e gatimeve dhe pijeve tradicionale shqiptare të ofruara si cocktail.
“Dona & Nik Photostudio”, e ngritur nga dy fotografë profesionistë me një përvojë 20-vjeçare, është një mundësi e shtuar për komunitetin shqiptar e jo vetëm, që me profesionalizëm, përkushtim dhe cilësi të standardeve bashkëkohore, të përjetësojë çastet më të bukura e më shënjuese të jetës.

SHARE