QEVERIA: PEZULLIM I PËRKOHSHËM I REGJIMIT PA VIZA PËR SHTETASIT TURQ

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka njoftuar se sot, në përputhje me nenin 10 të Rregullores për Qeverinë, pa mbajtur mbledhje dhe mbi bazën e pajtimit të shumicës së anëtarëve të saj, ka miratuar Rregulloren për ndryshimin e Rregullores mbi regjimin e vizave, me të cilën vendoset pezullimi i përkohshëm i regjimit pa viza për shtetasit e Turqisë.

“Pezullimi i regjimit pa viza për shtetasit e Turqisë hyn në fuqi ditën pas publikimit në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi”, thuhet në njoftim.

Në materialin që Qeveria ka shqyrtuar sot thuhet se Mali i Zi i kushton vëmendje të plotë interesave dhe statusit të rreth 14 mijë shtetasve turq që ndodhen në territorin e saj dhe se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që qëndrimi i tyre të jetë i qetë dhe në përputhje me ligjin.

“Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të sigurojë procedurë të përshpejtuar për dhënien e vizave për të gjithë shtetasit turq që kishin planifikuar të vinin, të qëndronin ose të kalonin tranzit nëpër Mal të Zi, në mënyrë që efektet negative të periudhës kalimtare të reduktohen në minimum”, thuhet në komunikatë.

Qeveria thekson se ky vendim është marrë kryesisht për të ruajtur rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve, duke pasur parasysh disa incidente të veçuara të sigurisë të regjistruara gjatë periudhës së kaluar.

“Ky vendim, si një masë institucionale reagimi, është një mesazh i qartë se ligjet duhet të respektohen dhe se nuk mund të ketë përjashtime. Si një mikpritës i mirë, Mali i Zi do ta zbatojë këtë vendim duke respektuar plotësisht të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e shtetasve turq,” thuhet më tej në njoftim.

Në fund, Qeveria u bën thirrje qytetarëve për përmbajtje dhe besim në institucionet e sistemit, të cilat, siç theksohet, do të menaxhojnë me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha proceset që lidhen me ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

SHARE