Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka deklaruar se ngjarjet e mbrëmshme në Podgoricë kanë treguar qartë se çfarë ndodh kur shteti humb kontrollin mbi politikën e vet të imigracionit.
“Prej disa kohësh kam paralajmëruar se një qasje e papërgjegjshme ndaj këtij problemi mund të ketë pasoja serioze ekonomike, shoqërore dhe të sigurisë. Mali i Zi duhet të hapë një debat serioz dhe shtetëror për politikën e migracionit, të bazuar në interesat e qytetarëve tanë, e jo në marrëveshje të përkohshme politike apo financiare”, tha Millatoviq.
Me shqetësim të veçantë, presidenti u referua deklaratës së kryeministrit, të cilën e kanë publikuar mediat e njohura britanike The Times dhe The Guardian, sipas së cilës ai dhe Qeveria janë të gatshëm të shqyrtojnë mundësinë për të pranuar migrantë të kthyer nga Mbretëria e Bashkuar, në këmbim të investimeve nga ky vend.
“Dua të them qartë se jam kundër një vendimi të tillë, dhe mendoj se ai do të ishte shkatërrimtar për Malin e Zi. Kjo nuk është politikë shtetërore, kjo është tregti me dinjitetin e shtetit dhe me sigurinë e qytetarëve tanë,” theksoi presidenti i vendit.
Millatoviq theksoi se Mali i Zi nuk duhet të bëhet qendër pritëse për problemet e migracionit të të tjerëve.
“Sistemi ynë tashmë po tregon dobësi serioze në përballje me migracionet e pakontrolluara, siç pamë edhe mbrëmë. Pyetja që shtrohet është: kush është përgjegjës? Përgjigjja është e qartë – shteti, i cili duhet të ketë plan, kontroll dhe strategji të qartë për mbrojtjen e kufijve dhe qytetarëve të vet,” tha Millatoviq.
Presidenti kërkoi nga të gjitha institucionet shtetërore që të ndalojnë menjëherë improvizimet dhe të fillojnë të veprojnë me përgjegjësi, në përputhje me interesat më të mira të shtetit dhe të qytetarëve.










