Deputetët e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës nuk i kanë dhënë mbështetje kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re.
Nga 110 deputetë të pranishëm në sallë, pro votimit të qeverisë Kurti 3 votuan vetëm 56 deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupit multietnik.
“Me 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e Republikës së Kosovës”, bëri të ditur kryetari i Kuvendit Dimal Basha pas dështimit të emërimit të qeverisë së re.
Në seancën e cila u mbajt 193 ditë pas fillimit të seancës së parë plenare të mbajtur më 15 prill 2025, deputetëve paraprakisht iu drejtua Albin Kurti, duke kërkuar që ta votojnë qeverinë e re.
Kurti tha se kanë pasur ofertë të sinqertë për partitë e tjera për bashkëqeverisje dhe shtoi se “sot nuk jemi këtu për të ndarë pushtet”.
“Çdo ditë pa qeveri me kompetenca të plota është një ditë humbje për zhvillimin, për qytetarin dhe për shtetin. Për më tepër, përderisa nuk votohet qeveria e re, kjo nënkupton zgjatje e mandatit të qeverisë në detyrë. Pra, qeveri do të ketë, vetëm se deputetët e kanë të pamundur ta mbikëqyrin dhe të kërkojnë llogari nga një qeveri në detyrë të cilën nuk e kanë votuar si legjislaturë e re”, theksoi Kurti.
Kurti tha se qeveria e udhëhequr nga ai duhet të votohej jo për interes partiak, por për interesin publik dhe shtetëror, për të marrë vendime të menjëhershme, sikurse votimi i projektligjit të buxhetit, rritja e pagave në sektorin publik, rritja e pensioneve, rritja e shtesave për fëmijët si dhe votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.









