BE-ja ka pranuar letrën nga shoqëria civile në Kosovë lidhur me heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian.
Sipas organizatave të shoqërisë civile, këto masa nuk janë më të vlefshme në raport me rrethanat fillestare kur janë vendosur, dhe po dëmtojnë procesin e integrimit evropian të vendit.
Masat ndëshkuese, që përfshijnë ngrirjen e një pjese të fondeve të BE-së dhe pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me zyrtarët e Kosovës, u vendosën në mesin e vitit 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe dhe disa veprimeve të Qeverisë, të cilat BE-ja i përshkroi si të pakoordinuara dhe në dëm të komunitetit serb.
Ndërkohë, sipas një raporti të publikuar në maj nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP në Prishtinë, masat ndëshkuese të BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro për projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar.
Nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, ndërsa sektorët më të prekur janë: mjedisi, energjia, digjitalizimi dhe kultura.
Për heqjen e masave ndëshkuese kërkohet konsensusi i të 27 shteteve anëtare të BE-së, ndër të cilat janë edhe pesë vende që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.









