Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Pas shtatë muajsh pauzë, Qeveria pritet që në nëntor të rinisë sërish fushatën “Çmimet e kufizuara”.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka deklaruar për TV Vijesti se ky dikaster do t’i propozojë Qeverisë që në mbledhjen e 6 nëntorit të miratojë vendimin për vazhdimin e fushatës, me qëllim që të tregojnë kujdes ndaj qytetarëve dhe të ruajnë standardin e tyre jetësor, në një kohë kur çmimet në Mal të Zi po rriten çdo ditë.
Gjeloshaj tha se javën e ardhshme do të zhvillojë bisedime me tregtarët, dhe se synimi është që të kufizohen çmimet e produkteve vendase, në mënyrë që fokusi të jetë tek ato, por ende nuk dihet sa produkte do të përfshihen në këtë aksion.
Sipas TV Vijesti, Ministria me shumë gjasë do të propozojë që fushata “Çmimet e kufizuara” të zgjasë deri në fund të marsit.










