BALLUKU NË BUKURESHT PËR ENERGJINË / SIGURIA E FURNIZIMIT NËN KËRCËNIMIN E VARËSISË RUSE

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, mori pjesë të hënën në takimin e përvitshëm të ministrave të energjisë të Evropës Qendrore dhe Juglindore, drejtuar nga komisioneri evropian për Energjinë, Dan Jørgensen.

Në këtë forum, ministrat raportuan mbi situatën energjetike në vendet e tyre, përgatitjet për dimrin 2025–2026, si dhe sigurinë energjetike në kontekstin e kërcënimeve që vijnë nga përdorimi i gazit rus.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku theksoi arritjet e Shqipërisë në drejtim të diversifikimit të burimeve të energjisë, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Energjisë.

“Kam përfituar nga rasti të ndaj në këtë event një arritje të rëndësishme të Shqipërisë gjatë këtij viti. Për herë të parë, raporti 8-mujor për vitin 2025 tregon se kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga burimet diellore, duke çuar raportin total të prodhimit të brendshëm në 90% hidro dhe 10% energji diellore,” u shpreh Balluku.

Ajo shtoi se gjatë ditës ka zhvilluar disa takime dypalëshe me homologë të vendeve të tjera, përfshirë edhe Komisionerin Jørgensen.

Ndër më të rëndësishmit, ministrja veçoi takimin me ministrin rumun të Energjisë, ku është diskutuar krijimi i një boshti energjetik rajonal, që do të përfshijë Shqipërinë, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Italinë.

“Bashkëpunimi i gjerë rajonal ka treguar se është dhe do të mbetet baza e një suksesi të garantuar për sigurinë energjetike evropiane,” theksoi Balluku.

SHARE