AKREPAT E ORËS KTHEHEN PAS NË FUNDJAVË / 60 MINUTA GJUMË MË SHUMË, KTHIM TEK ORA DIELLORE

Natën mes të shtunës dhe të dielës, më saktësisht në orën tre të mëngjesit, duhet të zhvendosim akrepat e orës prapa, me një orë, duke i pozicionuar në orën 2.

Do të kemi kështu një orë gjumë më shumë, por errësira do të bjerë një orë më parë.

Aparatet digjitale, si celularët dhe kompjuterat, do ta bëjnë ndryshimin automatikisht, por duhet të kujtohemi që të zhvendosim manualisht akrepat në orët analoge.

Ora diellore do të qëndrojë në fuqi deri natën mes të shtunës së 30 marsit 2024 dhe të dielës së 31 marsit, kur edhe do të rikthehet ora verore.

Debati për mundësinë e heqjes dorë nga ky ndryshim i orës, vazhdojnë prej kohësh dhe rindizen sa herë që momenti i lëvizjes së akrepave afron…por për momentin, nuk ka ende asnjë vendim ndaj gjithcka mbetet sic ka qenë, me nevojën për tu adaptuar ndaj këtij ndryshimi dhe për tu përballur me një seri shqetësimesh të vogla. Sipas ekspertëve, ndryshimi i orës ka një seri efektesh të padëshirueshme në organizmin tonë.

Fakti që kemi në dispozicion 60 minuta më pak dritë ndikon negativisht në ekuilibrin e trupit të njeriut, e më së shumti preken fëmijët e të moshuarit. Por, pasditet e shkurtra të vjeshtës dhe dimrit ndikojnë edhe në humorin dhe mirëqënien e të gjithëve.

Ndryshimi i orës mund të shoqërohet kështu me mungesë gjumi, një ndjesi lodhjeje, më shumë vështirësi në përqendrim, irritim etj.

Të gjitha këto nuk janë gjendje patologjike por shqetësime të destinuara të zhduken pas pak ditësh…

SHARE