PARALAJMËROHEN BARRIKADA NË VERI, KOSOVA THOTË SE PO ZBATON LIGJIN SA I PËRKET TARGAVE

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe. Por, autoritetet në Prishtinë thanë se Serbia po kërcënon me dhunë vetëm pse Kosova po zbaton ligjin. Këto deklarata Rakiq i bëri pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, teksa më 31 tetor pritet të skadojë afati dymujor i vendosur nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia, në ato RKS – Republika e Kosovës. “Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do t’i bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq në një konferencë për media në Beograd. Rakiq tha se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave, Kosova po zbaton ligjin. Gjatë një konference për media në Prishtinë më 27 tetor, Osmani tha se Prishtina do të punojë me faktorin ndërkombëtar, që, siç tha ajo, të parandalohen skenarët destabilizues në rajon. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërkohë më 27 tetor gjatë një ngjarjeje, u bëri thirrje sërish serbëve në Kosovë që t’i riregjistrojnë makinat e tyre.

SHARE