Kryeministri hungarez, Viktor Orban, që zhvilloi vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, tha se ndarja e Shkupit nga Tirana, sa i përket negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, “është një gabim historik”.
Orban, shteti i të cilit udhëheq me Presidencën aktuale të BE-së, u ofrua që personalisht të shërbejë si ndërmjetës mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Një ditë më herë, u bë publike lajmi se BE-ja e ka ftuar Shqipërinë që të hapë kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim. Shkupi dhe Tirana kishin qenë bashkë në procesin e anëtarësimit.
“E kam një propozim të cilin ia shpalosa kryeministrit [maqedonas, Hristijan] Micoski dhe i thash se jam i gatshëm që ta përdor Presidencën e BE-së dhe ta ndërmjetësoj këtë çështje. Nëse palët janë të gatshme ta pranojnë Hungarinë si ndërmjetëse, është çështje e tyre, por ne jemi të gatshëm dhe duam të ndërmjetësojmë”, tha Orban, duke shtuar kjo ka të bëjë me “gjetjen e një zgjidhjeje që iu përshtatet maqedonasve dhe bullgarëve”.
Sipas kryeministrit hungarez, Maqedonia e Veriut duhet të mbajë konferencë ndërqeveritare me BE-në në fund të vitit.
Ndërkaq, kryeministri maqedonas Mickoski, i uroi Shqipërisë dhe popullit të saj për përparimin në rrugën evropiane dhe u bëri thirrje maqedonasve që të mos e humbin shpresën.
“Nuk duhet ta humbim shpresën dhe të zhgënjehemi. Ne do të vazhdojmë të punojmë, të zgjidhim problemet brenda vendit që janë grumbulluar dhe trashëguar nga Qeveria paraprake. Por, është mirë që kemi miq në BE, e një nga ta është kryeministri Viktor Orban”, tha Mickoski.
Orban po ashtu e përdori takimin me Mickoskin për të kritikuar Brukselin sa i përket çështjes së integrimit evropian.
“Njerëzit dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor meritojnë shumë më shumë sesa ajo që u ofron Brukseli. Këto shtete do të duhej që kohë më parë të ishin anëtare të BE-së. Maqedonia e Veriut dhe kroatët morën mendim pozitiv më 2008. Që atëherë, Kroacia është anëtare dhe negociatat me BE-në për anëtarësim nuk kanë nisur me Maqedoninë e Veriut. Ky është gabim i madh i BE-së dhe unë do të thosha se është gabim historik, një gabim që mund të përmirësohet sepse Maqedonia e Veriut duhet të vendoset pas Shqipërisë”, tha Orban.