Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiq mbajti, gjatë Konferencës së 17-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve të Vogla Evropiane, një prezantim me temën “Multilateralizmi – Roli i shteteve të vogla?”
Kryetari Mandiq tha se bota e sotme po përballet me një sërë sfidash komplekse dhe se vendet e vogla, si Mali i Zi, zënë një vend të veçantë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se megjithëse mund të mos jemi të mëdhenj për sa i përket popullsisë apo territorit, kontributi ynë në komunitetin nuk duhet nënvlerësuar.
„Një nga pyetjet kryesore që shtrohet shpesh është nëse shtetet e vogla janë përherë në një pozicion më të dobët negociues në marrëdhëniet me shtetet më të mëdha. Ndoshta në pamje të parë duket kështu, por praktika tregon të kundërtën. Shtetet e vogla kanë përparësi në fleksibilitetin dhe aftësinë e tyre për t’u përshtatur shpejt. Për shembull, Malta, si një nga shtetet më të vogla anëtare të Bashkimit Evropian, ka arritur të ndërtojë një reputacion si një shtet që kontribuon në mënyrë aktive në fusha të tilla si transformimi digjital, menaxhimi i migracionit dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve të BE-së. Në mënyrë të ngjashme, Mali i Zi është i përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe ka potencialin të bëhet simbol i suksesit të politikës së zgjerimit. Si një vend i vogël, ne do të ishim një shembull i mirë se Bashkimi Evropian nuk është vetëm i hapur për anëtarët e rinj, por edhe anëtarët më të vegjël mund të kontribuojnë ndjeshëm në projektin e përbashkët evropian,“ tha Mandiq.
Kryetari i Kuvendit shtoi se Mali i Zi e sheh të ardhmen e tij si një anëtar aktiv i Bashkimit Evropian, jo si një barrë, por si një partner që do të kontribuojë në qëllimet e përbashkëta, ashtu siç bën Malta.
„Vizioni ynë është i qartë: përmes anëtarësimit në BE, Mali i Zi do të jetë një avokat i fuqishëm i vlerave evropiane, duke kontribuar në stabilitet dhe prosperitet,“ theksoi kryetari i Kuvendit.