KABINETI I KRYEMINISTRIT: PUNIMET NË AUTOSTRADË DO TË FILLOJNË NË VITIN 2025

Punimet në seksionin e dytë të autostradës do të fillojnë në vitin 2025, njoftoi Zyra e Kryeministrit të Malit të Zi.

“Duke qenë se në opinion janë shfaqur informacione se punimet ndërtimore në seksionin e dytë të autostradës do të fillojnë vetëm në vitin 2026, për të informuar opinionin në mënyrë objektive, ju njoftojmë se kjo është e pavërtetë dhe se punimet në seksionin e dytë, siç ishte paralajmëruar më parë, do të fillojë në vitin 2025”, njoftoi Kabineti i Kryeministrit të Malit të Zi.

Pas përfundimit të tenderit të shpallur nga BERZH, sipas Qeverisë, me nënshkrimin e kontratës dhe futjen e kontraktorit në punë, punimet do të fillojnë sipas procedurës Fidic.

“Do të thotë gjatë vitit 2025 do të kryhen punime përgatitore dhe paraprake, kërkime gjeoteknike dhe rilevime gjeodezike, krijimi i rrugëve hyrëse në kantierin e ndërtimit, formimi dhe ndërtimi i kampeve, formimi i laboratorëve për testime, pastrimi i pyjeve, zhvendosja e instalimeve, zhvillimi i Projektit Kryesor dhe studimet e nevojshme. Të gjitha këto aktivitete janë pjesë e periudhës pesëvjeçare të ndërtimit të planifikuar dhe të kontraktuar”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, të gjitha planet e Monteput janë dakorduar me Ministrinë kompetente të Transportit dhe Qeverinë e Malit të Zi, si dhe me procedurat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.  

“Kujtojmë se punimet për ndërtimin e seksionit të dytë të autostradës do të fillojnë në vitin 2025, duke pasur parasysh se në lidhje me planin fillestar të Qeverisë për ta nisur këtë projekt nga fondet e veta, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka vendosur të mbështesë zbatimin e tij – që nënkupton aplikimin e procedurave të BERZH-it dhe për rrjedhojë shtyrjen e fillimit të punimeve me disa muaj nga plani fillestar”, thekson Qeveria.

Siç thonë ata, BERZH-i do ta financojë këtë projekt me një kredi prej rreth 200 milionë euro në kushtet më të favorshme, ndërsa Bashkimi Evropian ka dhënë grante prej 100 milionë eurosh.

SHARE