DËMTOHET NJË FALTORE NË ZUBIN POTOK, SERBËT DALIN NË PROTESTË: MESAZH ARMIQËSIE

Disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb kanë protestuan të premten para një stacioni policor në Zubin Potok në veri të Kosovës kundër, sikurse thanë ata, “shkatërrimit” të një faltoreje në një fshat të kësaj komune të banuar me shumicë serbe.

Protestuesit thanë se “ekziston dyshimi i bazuar” se objekti fetar në fshatin Çeçanoviç është dëmtuar nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, por nuk dhanë ndonjë provë për këtë.

Bojan Stevanoviç, nga fshati Babudovicë në komunën e Zubin Potokut, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se ata nuk e dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur, por se “dëgjuam të shtëna dhe më pas e pamë policë me motoçikleta”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha REL-it se policia ka nisur një hetim për këtë rast bazuar në raportet e mediave, dhe se dëshmitarët janë marrë në pyetje. Ai shtoi se në këtë rast është informuar edhe Inspektorati i Policisë.

Diçka e tillë është e papranueshme, kushdo që ta ketë bërë. Megjithatë, fillimisht duhet gjetur se kush është autori”, tha Elshani.

Një banor tjetër, Radule Stevanoviç, shpjegon se faltoren e kishin ndërtuar banorët lokalë dhe ikonat në të u vendosën para më shumë se 40 vjetëve.

“Ne mblidheshim aty për festën e Trinisë së Shenjtë”, tha ai, dhe përsëriti dyshimin se ikonat janë dëmtuar nga policët.

Për të vërtetuar dyshimet e tij, Stevanoviç tha se banorët, pasi dëgjuan të shtënat, gjetën vetëm policët pranë faltores së dëmtuar.

“Qytetarët janë të pakënaqur me sjelljen e policisë”, shtoi ai.

Më parë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë shprehu “shqetësimin dhe keqardhjen e thellë për dëmtimin rishtazi të një faltoreje historike”.

“Shkatërrimi i këtij vendi dërgon një mesazh të hapur armiqësie, duke konfirmuar ndjenjën se populli ynë, i cili ka jetuar me shekuj në ‘Kosovë dhe Metohi’, nuk është i mirëpritur”, thuhet në deklaratë.

Dioqeza i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë në mënyrë që “të ndalen incidente të ngjashme dhe presioni sistematik mbi serbët”.

SHARE