Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj së bashku me bashkëpunëtorët, sot po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë me ftesë të përfaqësuesve më të lartë të autoriteteve shqiptare. Gjatë vizitës u takua me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryetarën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, disa ministra, si dhe deputetë dhe kryebashkiakun e Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë.
Në takim me kryetaren Nikolla, Dukaj theksoi se të dy vendet trashëgojnë marrëdhënie tradicionalisht të mira dhe miqësore dhe se ka vend për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha të reformës së administratës publike. Kryetaren e Kuvendit e njoftoi edhe për aktivitetet dhe synimet e Ministrisë së Administratës Publike, ndër të cilat mund të përmenden procesi i decentralizimit dhe forcimit të sistemit të vetëqeverisjes lokale në Mal të Zi dhe reforma në administratën publike. Ai shton se kjo administratë ka qenë e përfshirë edhe në hartimin e Ligjit për Qeverinë, me të cilin Mali i Zi pas 120 vitesh do të marrë një rregullim ligjor të Qeverisë.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka pritur sot në takim ministrin për Administratën Publike në qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukajn, i cili përfaqëson partinë “Alternativa Shqiptare”. Në fjalën e tij, Balla vlerësoi rolin që kjo parti shqiptare luan në Kuvendin e Malit të Zi teksa tha grupi i PS do të bashkëpunojë në dobi të përfaqësimit të shqiptarëve të Malit të Zi. Balla tha se bashkë me Shqipërinë, dy vendet kontribuojnë për paqen e stabilitetin në rajon në kuadër të forcimit të nismave rajonale për një integrim më të shpejtë në BE.
Dukaj poashtu u edhe me rektorin e Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha. Dukaj prezantoi mundësinë e shkëmbimit të studentëve, njohurive dhe informacionit për të arritur zhvillimin akademik rajonal. Rektori Hoxha prezantoi programin dhe strukturën e Universitetit të Tiranës, universitetit të parë dhe më të madh në Shqipëri.
Gjatë vizitës në Tiranë, Dukaj ka zhvilluar një takim me znj. Milva Ekonomi, Ministre e Shtetit për Standardet e Shërbimeve. Gjatë takimit Dukaj ka deklaruar se Ministria e Administratës Publike është duke punuar në vazhdimësi në thellimin e bashkëpunimit dhe zgjidhjen e problemeve që rëndojnë punën e vetëqeverisjes lokale. Gjithashtu, ministri theksoi se përmirësimi i bashkëpunimit në nivel të vetëqeverisjeve lokale është një nxitje e shkëlqyer për bashkëpunim ndërshtetëror. „Reforma dhe digjitalizimi i administratës publike mund të arrihen edhe duke zbatuar iniciativa, programe dhe projekte të përbashkëta përmes të cilave mund të kontribuojmë në një zhvillim digjital më efektiv të vendeve tona,“ tha Dukaj.
Dukaj poashtu u takua me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe e njoftoi atë me aktivitetet e ndërmarra në fushën e reformës së administratës publike dhe procesin e transformimit digjital si një nga segmentet më të rëndësishme të reformës së administratës publike në Mal të Zi. „Të gjitha aktivitetet në përputhje me Strategjinë e Reformës së Administratës Publike kontribuojnë në krijimin e një administrate publike efikase, të orientuar drejtë shërbimeve në nivel shtetëror dhe vendor. Qëllimi ynë është të krijojmë një administratë publike efikase, të besueshme dhe transparente të karakterizuar nga rritja e besimit të qytetarëve në punën e saj dhe afrimi i saj me standardin dhe nivelin e vendeve anëtare të BE-së,“ theksoi Dukaj.