Një stuhi e fuqishme ngriti një mur gjigant pluhuri që u përplas mbi qytetin e Feniksit, në SHBA, duke errësuar qiellin, verbuar drejtuesit e automjeteve, ndërprerë energjinë elektrike dhe anuluar fluturimet në një nga aeroportet më të ngarkuara të vendit.
Stuhia e pluhurit – e njohur në meteorologji si habub – formohet nga erëra të fuqishme që ngrenë pluhurin në ajër, zakonisht në zona të sheshta dhe të thata. Ajo u pasua nga reshje të rrëmbyeshme shiu.
Për shkak të kushteve ekstreme, Aeroporti Ndërkombëtar Sky Harbor në Feniks anuloi fluturime, ndërsa u raportuan dëme edhe në çatinë e njërit prej terminaleve.
Më shumë se 60,000 banesa mbetën pa energji elektrike. Feniksi ka qenë më i thatë se zakonisht këtë sezon musonesh, ndërsa pjesë të tjera të Arizonës juglindore dhe veri-qendrore kanë marrë sasi të konsiderueshme shiu.
Sipas meteorologëve, kjo kontrast i kushteve ka ndikuar në formimin e fenomenit të fundit.
Banorët treguan se stuhia e pluhurit shkaktoi lëkundje të forta të pemëve, ndërsa pluhuri i imët depërtoi në brendësi të shtëpive.
Shikueshmëria në rrugë ra në thuajse zero, çka detyroi autoritetet të lëshojnë paralajmërime që njerëzit të qëndrojnë jashtë rrugëve ose të ndalojnë menjëherë automjetet në vend.
Stuhitë e pluhurit nuk janë të rralla gjatë sezonit të musoneve në Arizona, por kjo stuhi kishte një intensitet të jashtëzakonshëm.
Erërat e fuqishme tërhiqnin rërën e shkretëtirës duke ndërtuar një mur të lëvizshëm pluhuri, i cili në pak sekonda ngjitej mijëra metra në lartësi. Muri i pluhurit i një habubi mund të shihet nga larg, por kur ai mbërrin tek njerëzit, zakonisht është shumë vonë për të kërkuar strehë.
Kjo ngjarje në Feniks vjen pas një stuhie tjetër pluhuri në Nevada gjatë fundjavës, e cila ndërpreu festivalin e përvitshëm “Burning Man” në qytetin e përkohshëm Black Rock City.