Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të ofrojnë mbështetje strategjike për një plan sigurie të udhëhequr nga vendet evropiane për Ukrainën pas përfundimit të luftës.
Lajmi bëhet i ditur nga ‘Financial Times’, e cila raporton se administrata amerikane ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në ngritjen e një arkitekture të re sigurie për Kievin.
Mbështetja amerikane do të fokusohet kryesisht në aspektin teknik dhe operacional, duke ofruar inteligjencë, mbikëqyrje, radarë dhe kapacitete të mbrojtjes ajrore. Këto elemente, sipas burimeve, do t’u mundësojnë forcave evropiane që të vendosin një “mburojë sigurie” për Ukrainën në periudhën e pasluftës.
Plani i ri parasheh që Franca dhe Mbretëria e Bashkuar të kenë rolin udhëheqës në një koalicion evropian, ndërsa SHBA-ja do të shërbejë si lehtësues strategjik, duke ofruar mbështetje pa angazhuar trupa tokësore. Në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara synojnë të sigurojnë stabilitet për Ukrainën, duke i lënë barrën kryesore të angazhimit ushtarak vendeve evropiane.
Plani përfshin krijimin e një zone të çmilitarizuar në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila mund të patrullohet nga forca paqeruajtëse neutrale, të pranuara nga të dyja palët. Përtej saj, kufiri do të mbrohet nga forcat ukrainase të pajisura dhe trajnuara nga NATO. Në vijën e tretë të mbrojtjes, më në brendësi të territorit ukrainas, parashikohet vendosja e një force parandaluese të udhëhequr nga Evropa.
Ky zhvillim shihet si një ndryshim i rëndësishëm në qasjen e Uashingtonit ndaj luftës në Ukrainë, pasi për herë të parë pas një kohe të gjatë, SHBA-ja po pranon të luajë rol aktiv në garantimin e sigurisë së Ukrainës në fazën e pasluftës, por duke mbajtur fokusin tek mbështetja teknike dhe jo tek prania direkte ushtarake.