PRATTIPATI: VEPRIMI I KOSOVËS PËR HEQJEN E TARIFËS TREGON LIDERSHIP

Annu Prattipati, e ngarkuar më Punë në ambasadën e SHBA-së në Kosovë, tha se vendimi për heqjen e tarifave për mallrat amerikane nga pala kosovare tregon lidership.

Ajo në forumin “Largimi i barrierave, ndikimi ekonomik i tarifave 0% për mallrat amerikane”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane tha se kjo e fundit ka qenë avokate e zëshme mes Kosovës e Amerikës, për heqjen e tarifës për mallrat amerikane, derisa në këtë kuadër ka falënderuar edhe Doganën e Kosovës.

Prattipati foli për marrëveshjet, për politikat, vizionin dhe për të ardhmen e raporteve mes Kosovës e SHBA-së.

“Kosova e SHBA-ja kanë një marrëveshje universale, në forcimin e  raporteve ekonomike që ndihmon në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve”, tha Prattipati.

Sipas saj, Kosova ka marrë veprime që kjo të ndodhë dhe kjo tregon lidership. “Duke hequr tarifat, Kosova ka rritur qasjen në mallrat amerikane, duke i ofruar kosovarëve më shumë mundësi për bizneset kosovare e amerikane”, ka theksuar Prattipati.

Ajo më tej shtoi se vendimi është me përfitime të dyanshme për të dyja vendet që ndikon në rritjen ekonomike, derisa ftoi bizneset e Kosovës që të shfrytëzojnë heqjen e tarifave amerikane për zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve tregtare, dhe jo vetëm, mes Kosovës e SHBA-së.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se ky vendim është prej më të rëndësishmëve drejt forcimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Produktet amerikane janë të mirëseardhura në Republikën e Kosovës që nga ky muaj e tutje pa tarifa. Ky vendim e forcon edhe më tej partneritetin strategjik që kemi me SHBA-në, duke e hapur rrugën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve, qoftë nga investitorët amerikanë apo edhe të shteteve tjera, marrë parasysh kur kemi një raport të tillë tregtar me sa më pak kufizime të ndërsjella dhe Kosova mund të shihet si destinacion për investimet e tyre”, ka thënë Murati.

Kryetari i Odës Ekonomike e Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se nga 1 gushti secili mall me prejardhje nga SHBA-ja iu ka nënshtruar tarifës doganore 0%.

“Arkitektura tarifore për shtetet partnere të Kosovës, BE, SHBA, Turqi, realisht po barazohet. Nga viti i ardhshëm, kur bëhet 10-vjetori i hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, rrjedhimisht të gjitha këto shtete, do të trajtohen në mënyrë të barabartë”, ka thënë Rafuna.

SHARE